Sa paguhet kontabiliteti në Kosovë
1.
E para: Këtë artikull jam duke e shënuar më 13 dhjetor, të vitit 2021, ku rritja e çmimeve në Kosovë duket se ka marrë përpjetën tash e sa muaj. Rritja e çmimeve dhe shtrydhja e kuletës nuk po shihet ku e ka fundin… Kjo gjendje është shqetësuese. Pas dy viteve me virusin e poshtër, duket se virusi financiar po na kërcënon gjithnjë e më tepër. Mbase ai grushti i fortë i Migjenit po përgatitet të godas një pjesë të mirë tonën në 2022. Nuk e di. Dhashtë Zoti, jo kështu.
E dyta: Këto paraqesin qëndrimet e mija personale dhe nuk kam pse të konsultohem me veten. Pa dashur askënd me e ngacmuar, apo edhe me ja bo rrafsh tjetrit, po shkruaj më poshtë me shifra (valuta / Euro, €) dhe me iniciale se ky është #BLOG personal, e jam i bindur që këto konstatime i bien tamam kohës. Sigurisht, kur ky artikull të jetë vjetërsuar, shifrat mund të mos e kenë kuptimin e sotëm.
Çmimi që një biznes e ofron për një kontabilist sot në Kosovë, është prej 15 Euro deri në 2000 Euro, për muaj. Po flasim edhe si rrogë, por edhe si faturë shërbimi. Duket sa absurde, aq edhe e pakuptimtë. Shifrat janë ekstremet e fundme, por po tentoj me i elaboruar pak ma poshtë. Nuk ka ndonjë rregullore, ligj, udhëzim administrativ që rregullon këtë punë ende. Parimisht, unë nuk besoj që ligji e rregullon. Qe pse?. T’a marrim që për çmim vendosin kriteret ligjore: qarkullimin, numrin e puntorëve dhe fix-assetet. Një kontabilist duhet me u pagu le të themi 300 Euro sipas këtyre kritereve. Meqenëse tregtari i qebapëve dhe shitësi i tekstilit (e merr vesh më poshtë) janë më të mençur se një kontabilist, nisin dhe bëjnë pazar me ty. Po t’i qes me bankë 300 Euro, qysh po thot ligji, mi kthen në dorë 150 Euro. OK?, Edhe kontabilisti i dobët pranon. Thotë OK, edhe ky. Kaq sa i përket ligjit!. Nuk kam fakte, por me të dëgjuar se disa noterë dhe përmbarues ja bëjnë kështu. Mos vet për neve!; Prandaj, unë pak besoj që ligji e qet në vijë këtë punë. Ma shumë pres që rritet vetëdija jonë, ka të bëjë me mendësinë (mindset) që këto lojëra të ndyta marrin fund një herë e mirë.
2.
Kush e paguan 15 Euro një kontabilist?
Sipas mendimit tim një ‘dilingji’ (term i përshtatur për një tregtar të ndytë). Zakonisht këtë e bën një biznes që mundet me i paguar edhe 50 Euro apo 100 Euro, por ai nuk e ka pikën e respektit për profesionin as për kontabilistin si person. Ky biznes është në gjendje të shpenzoj edhe 100 Euro për një darkë zyrtare, por e përdhosë në pikë të fundme një profesionist që ia deklaron pagat, qiranë, tremujorin për këtë tarifë ç’njerëzore 15 Euro. Përderisa po lexoni, mund të mendoni me vete se tregu është i lirë. Pse atëherë kontabilisti e pranon një nënçmim të tillë?. Jom me ty. Ashtu është, kontabilisti nuk duhet me pranuar, por ky është realiteti se edhe kontabilisti është i shtrydhur nga faturat mujore që i vijnë. Pastaj shoku (shoqja) tjetër e profesionit lëshon pe menjëherë ditën tjetër, dhe ky cikël do të përsëritet derisa nuk ka normë morale që e rregullon çmimin e shërbimit në këtë aspekt.
Po ju përmendi një rast, pa imagjinuar situatë dhe pa dashur me sjellë disponim tek ju. E kam përjetuar vet sa mbanim mësim në klasa, para Covid-it. Në sallën kur ishim të pranishëm rreth 20 persona, unë po shpjegoja për koeficientin e TVSH-së. I tregoja studentëve që të kenë kujdes me kompanitë e ndërtimit dhe depot farmaceutike, pasi në atë kohë koeficienti aplikohej nga të dyja këto tipe të bizneseve. Përderisa këshilloja që të hynë në këto biznese ju kërkohet përgatitje e mirë profesionale dhe t’a konsiderojnë vetëm ofertën për punë pas një pagese me dinjitet, shembull rreth 800 deri në 1000 Euro në muaj, etj. etj. Ndërkohë sa isha në këto fjalë, studenti A.V. më ndërpreu, duke thënë se një biznes në qytetin e tij e paguan kontabilistin 5 Euro në muaj. Klasa shpërtheu në të qeshura. Po pra, PESË EURO në muaj, apo çdo tremujor nga 15 Euro, citoj. Biznesi është qebaptore, vazhdoj i njëjti. I thash në humor, “Ma mirë mos me i marrë paret hiç. Të shkon vetëm të ushqehet me qebapë. Thyhet obligimi (fatura) me debi – kredi”.
Si duket shërbimi 5 Euro, në muaj?
E ktheva në humor, se ajo që dëgjova më dhimti tepër dhe më goditi thellë. Pavarësisht se tentova që këtë situatë ta kaloj butë, e përjetova keq brenda. Para vetës kisha një grup me djem dhe vajza pa sherr që po tentonin të hyjnë në një treg ku rroga e tyre rrezikon të jetë 5 Euro në muaj, apo një pjatë qebapë… Kjo është asgjë tjetër veç se një abuzim. Por këto raste janë realitet! Sigurt edhe sot, në një qytet periferik një shok më përmendi se paguhet rëndom nga Bizneset Individuale të vogla, me tarifë 15 Euro në muaj. Ku e di, mbase se edhe çmimi i qebapëve ka shënuar rritje. Është nënçmim profesional, pa diskutim.
3.
Shërbime kontabiliteti për dy këmisha
Edhe një rast ironik po ju tregoj, e pastaj po dal tek disa pjesë më të mira. Është muaji janar i vitit 2013. Borë e hollë kishte mbuluar lagjen Bregu i Diellit, në Prishtinë. Ngjarje personale, po ashtu. Një biznes – Butik i vogël (lokal rreth 9m², pra 3×3), mund të ketë qenë ndër bizneset e rralla që kemi kontaktuar për kontabilitet atë vit, derë më derë. Pronari J.K. në dukje të parë një djalë zotni, më priti mirë. E nuhati shpejt që unë nuk marr vesh nga këto punët e çmimit, ngase ai ishte tregtar i zoti, siç u kuptua më vonë. Më tha që kam krejt pak punë, po fillojmë me 30 Euro në muaj, e pastaj e rrisim 50 apo 100, pas 2-3 muajve. Vetëm le të çelet pak puna, se dimër. Unë vet t’a rriti pagesën mujore, por po fillojmë me 30 Euro. Ok?
Kaloj pranvera, vera, e vjeshta. Puna u rrit, shihej edhe me deklarimet tatimore. Dimri tjetër më gjeti në atë biznes ende me tarifën mujore 30 Euro. Klienti kishte filluar të bëhej i keq, e vononte pagesën deri në 3 javë. Çuditërisht nuk ndihej me turp. Ishte krenar në stilin e tij. Më shëtiste për paret e mija, çdo 4-5 ditë, por pa sukses. Tatimet ia dërgoja rregullisht, i paguante. Por, pagesën për faturën time, e zvarriste. Ende nuk e kuptoj – pse?. Ndoshta pse isha shumë i sjellshëm me të. Një ditë kur më erdhi ‘te hunda’, i thash pa e paguar faturën time, nuk i merr as fletëpagesat e tatimeve për ATK. U habit.
1 muaj kontabilitet, 2 këmisha para dhe prapa, 2 x 15 Euro.
Tha: Merri dy këmisha!. Fillimisht, nuk e kuptova. Pare nuk kam, vazhdoj ai, nëse don merri këto dy këmisha. E kanë çmimin nga 15 Euro / copa. Provoj dy copa, se për pare nuk kam valla’. U ndjeva ma zi se ky tipi i qebapëve, në rastin e parë. I thash OK. I provova dhe i morra ato dy këmisha. E pash nga sytë, se ai nuk paguan para dhe stili i tij është të paguaj krejt shpenzimet me këmisha, sikur në ‘kohën e trampës’. Ia zgjata dorën dhe i thash: Faleminderit për krejt. Kjo ishte dita e fundit që kam hyrë në atë lokal. Me veturë më bjen të kaloj shpesh andejpari. I bindun jam që aty ende vazhdon punën dikush në kontabilitet. Mbase pronari ka gjetur një tjetër kontabilist që e paguan me 2 këmisha për dyçanin e tij ‘qymez’. Dyçani (biznesi) nuk iu rrit kurrë edhe pse kanë kaluar gati 9 vite, pasi zemra e ngushtë e pronarit, e mbanë edhe lokalin e ngushtë! Anyway, edhe kjo ka qenë një është mësim i vyeshëm për mua. E kam përmendur me raste në klasa, po hera e parë që e shkruaj në një BLOG online.
4.
Ma mirë me rrogë si kontabilist(e), apo si zyre e kontabilitetit?
Nuk them të jem ndonjë ekspert e as që pretendoj se i di krejt lojërat që luhen në profesionin e kontabilitetit tek ne, por mendoj që kam kompetencë mjaftueshëm me jap disa mendime. Kontabilist(e) me rrogë, ose me biznes (tarifë mujore)?. Ka të mira dhe sfida në të dyja taborët. Në përgjithësi nëse je person që dëshiron kontabilitetin me e shndërruar në biznes (me punësuar njerëz, me u rritur me zyre dhe aktivitet), atëherë hape një kompani prej nesër. Mos e mendo ma gjatë, nesër shko hape kompaninë nëse e gjen veten në këtë grupin e parë. Në të kundërtën, nëse jeni person që kërkon qetësinë dhe nuk duron siklete me tjerë persona, qëndro si i(e) punësuar, por rri në një vend pune ku trajtohesh mirë. Mos puno për lloj-lloj ‘baloshi’ apo institucioni. Kërko çdo herë një punë që të respektojnë në anën profesionale dhe të paguajnë mirë. Për rroga e tarifa, në pikën e radhës po shkruaj. Vlejnë të njëjtat si për të punësuar, vet-punësuar, po ashtu edhe ata që lëshojnë faturë për shërbime si biznes.
5.
Paga (vs) Tarifa mujore
Shifrat janë mesatare e krejt komunave, jo vetëm Prishtina. I kam përfshirë edhe pjesën e punëtorit(es) që punon brenda kompanisë me orar 8h/ditë, apo 40h/javë dhe kontabilistin përgjegjës si i jashtëm. Ka edhe kompani ‘të mrekullueshme që këta puntorë i detyrojnë të punojnë edhe 4 të shtuna, pa kompenzim…’ Janë udhëzime të ndërtuara me siklete kur vet e kam caktuar çmimin për kontabilitet, ose pohime që shpesh mi thotë një person kur është në dilemë para se të shkoj në intervistë për punë, kur dëshiron me ndryshuar pozitën e punës, me ndërruar komplet kompaninë, apo para se ‘mu përla me shefin për rrogë’.
E cilat janë tarifat?
5a.
Bizneset që janë pa TVSh, dhe pa baza reale (dmth këto me 3% dhe 9%), tentoni në maksimum mos me punu aty me rrogë. Pra, është biznes i ngushtë, zakonisht e menaxhojnë persona të një familje dhe je i(e) rrezikuar çdo ditë që mbetesh pa punë si faturist(e) apo kalkulant(e). Nuk po i nënçmoj se e di që biznese të tilla ka plot që janë të ndershme, por gjasa është e madhe që mbetesh pa pushim vjetor, e nuk guxon me tregu që ki Covid, se t’a ndalin rrogën!. Pra, nga angazhimi në këto ki kujdes maksimal. Edhe me ja mbajt letrat nëse je kontabilist i tyre tento në Prishtinë minimum 100 Euro +/- (për muaj), në qytetet tjera minimum 50 Euro + (për muaj). Po them tento, por e di si është realiteti… Definitivisht mos prano kompenzime të qebapëve apo këmishave, siç e shpjegova ma sipër.
5b.
Një person që punon në pozitën e punës: kalkulant, faturist, arkëtar, etj. Pra, me fjalë tjera si asistent i thjeshtë në financa, paguhet mesatarisht në Kosovë prej 170 – 300 Euro. Mendimi im është që kjo pozitë duhet të jetë me pagë minimalisht 500 Euro. E kam fjalën për një biznes që ka deri në 2-15 të punësuar, qarkullimi deri në 1 milion +/- në vit. Këtu kontabilisti i jashtëm mund të kërkoj tarifë prej 300 Euro e më tepër, varet edhe prej rrethanave tjera të biznesit dhe nivelit (kompleksitetit) të angazhimit.
5c.
Një person në pozitën e punës Asistent(e) në financa / kontabilitet. Pra, dikush që e ndihmon kontabilistin kryesor, paguhet mesatarisht në Kosovë prej 300 – 550 Euro në muaj. Mendimi im është që kjo pozitë duhet të jetë minimum me pagën 900 Euro, me çmimet aktuale. Kontabilisti i jashtëm mund të kërkoj tarifë prej 700 Euro e më tepër. Këto kompani janë që shesin në vit deri në 1-5 milion Euro. E di që disa nuk pajtoheni. Disa e nxjerrin frymën lehtas tani duke lexuar: Ehhhh, more Luan, veç me ditë ti ku po jetojmë e po punojmë?. O më besoni, e di, e di. Jetojmë në të njëjtin vend, e kam parasysh. E kuptoj saktë se qysh ndihesh, por nëse ti nuk ia cakton vlerën vetit, prej kujt pret vlerësim? E di edhe sa paguajnë këto kompani në Kosovë, por vetëm po tregoj ajo që është hak dhe e arsyeshme të paguhet. Asgjë më tepër.
5d.
Drejtor(e) financiar(e) në një korporatë që ka departament të financave, ku puna e tij (saj) është t’a përfaqësoj biznesin në krejt autoritetet: ATK, Dogana, KKRF, Auditorët, etc. paga që duhet të paguhet është 1400 – 2000 Euro, në muaj. Këto janë kompani që në ATK njihen si DTM, apo Departamenti i Tatimpaguesve të Mëdhenj, kompanitë që shesin mbi 5 milion Euro brenda një viti. Paga e personave kyç në financa në këtë kategori të bizneseve varet edhe nga angazhimi e përgjegjësia që kanë si dhe niveli profesional individual. Ndërkaq, Këshilltari i jashtëm financiar dhe tatimor, dikush që e këshillon këtë drejtorin(en) në korporatë të madhe mund të paguhet 1000 Euro +/- në muaj, varësisht se çfarë këshillimi i ofron dhe sa kohë i dedikohet në muaj.
6.
Këto paga/tarifa mund të bien ndesh me logjikën dhe praktikën e tregut sot. Ndoshta edhe një pjesë e pohimeve në këtë artikull nuk mund të artikulohen saktë. E di. Por, siç e përmenda edhe në hyrje ky është BLOG personal dhe këto paraqesin qëndrimet e mija, andaj nuk kam pse të konsultohem me veten.
Për fund,
Mjerë për atë biznes që paguan kontabilistin me qebapë 5 Euro, apo 2 këmisha! E ndërkohë, hallall i koftë atij biznesi që e paguan 2000 Euro personin kyç në financa dhe i jep autoritet me ja monitoruar financat e kompanisë. Këto janë dy realitete në Kosovë sot, dy kompani të ndryshme vetëm 60 kilometra larg njëra nga tjetra.
Luan Matoshi
26 Qershor 2022
luanmatoshi@gmail.com
#NFT – Ky artikull digjital është i regjistruar dhe mbrojtur nga Maluki Accounting. Kopjimi i pjesshëm apo i plotë i tij, pa cituar burimin, është bazë për ndjekje ligjore të menjëhershme. Ju faleminderit që keni lexuar deri këtu. I mirëpres komentet dhe sugjerimet tuaja. Kjo më krijon idenë që përmbajtja e tillë ju ka pëlqyer, e do të vazhdoj të punoj artikuj të njëjtë në vijimësi.